Të gjitha tematikat

Të gjitha tematikat

Testoni fuqinë e trurit!

Planet mësimore dhe të dhëna e fakte

Plane mësimore dhe fletë pune

Si të përdoret

Përdorimi i paketës



Sa e mirë është kujtesa juaj?

Këndi i lojës

Sa e mirë është kujtesa juaj?

Testoni fuqinë e trurit!

Këndi i lojës

Testoni fuqinë e trurit!

Cilësia e ajrit të mjediseve të jashtme

Ajri

Njerëzit kanë nevojë për ajër të pastër, për një mirëqenie të shëndetshme. Ajri është një përzierje gazesh azot, oksigjen, dioksid karboni si dhe e disa gazeve të tjera inerte. Ai, gjithashtu, përmban avuj uji në sasi të ndryshme. Në ajër ndodhen edhe një numër substancash të rrezikshme: ndotës natyralë, siç janë pluhuri dhe hiri vullkanik, dhe ndotës që janë prodhuar si rezultat i aktivitetit të njeriut.

Çfarë është cilësia e ajrit?

Cilësia e ajrit është gjendja e ajrit përreth nesh. Cilësia e mirë e ajrit quhet ajri i pastër dhe i pandotur. Prania e ndotësve në ajër, pavarësisht prej shkaqeve natyrore apo njerëzore, në përqëndrime shumë të mëdha, e bën ajrin me cilësi të keqe. Për këtë arsye, cilësia e ajrit vlerësohet si shëndeti dhe siguria e atmosferës.

Ndotja e ajrit të jashtëm

Burimet e ndotjes së ajrit të mjedisit të jashtëm janë të ndryshme dhe përfshijnë ato natyrore dhe me origjinë nga aktiviteti njerëzor. Ndotja natyrore e ajrit të mjedisit të jashtëm përfshin oksidet e squfurit dhe azotit nga vullkanet, oqeanet, kalbëzimi biologjik, rrufetë dhe zjarret në pyje, kimikatet që ndikojnë mbi shëndetin dhe poleni nga bimët, barërat dhe drurët, grimcat e ngurta nga stuhitë e rërës. Ndotja natyrore gjendet gjatë gjithë kohës rreth nesh, por në disa raste, përqëndrimet rriten shumë, për shembull pas shpërthimeve vullkanike ose në fillim të sezonit të rritjes së bimëve.

Një shqetësim i madh, i lidhur edhe me mundësinë që kemi për të kontrolluar shkarkimet në atmosferë, është ndotja me origjinë nga aktiviteti njerëzor, i cili ka ndikim shumë të keq në cilësinë e ajrit në mjedis. Burimi më i zakonshëm i kësaj lloj ndotjeje në mjedisin e jashtëm është djegia e lëndëve fosile të tilla si qymyri, nafta dhe gazi natyror, në termocentrale, objektet industriale, banesa dhe makinat. Në varësi të natyrës së karburateve dhe procesit të djegies, ndotësit e çliruar në atmosferë nga djegia e karburanteve përfshijnë oksidet e azotit, dioksidin e squfurit, monoksidin e karbonit, grimcat e ngurta, plumbin dhe komponimet organike lehtësisht të avullueshme (VOC). Burime të tjera të këtyre ndotësve janë zjarret në pyje, prodhimi i kimikateve, plehrave kimike dhe letrës, dhe djegia e mbeturinave. Këta ndotës quhen ndotës parësorë, meqenëse çlirohen nga burime të caktuara, drejtpërdrejt në ajër.

Ndryshe nga shtresa e ozonit në stratosferë, e cila e bën planetin të jetueshëm duke përthithur rrezatimin e rrezikshëm ultra vjollcë, ozoni që gjendet pranë sipërfaqes së tokës, ozoni troposferik, është një ndotës i formuar nga veprimi i dritës së diellit mbi VOCet në praninë e dioksidit të azotit. Ozoni konsiderohet ndotës dytësor i ajrit.

Si ndotësit parësorë ashtu edhe ata dytësorë janë dëmtonjës për shëndetin e njeriut, në varësi të përqëndrimit të tyre në ajër dhe ndjeshmërisë individuale. Si pasojë, legjislacioni kombëtar dhe ndërkombëtar përpiqet të rregullojë dhe kontrollojë sasinë e ndotjes së lëshuar në atmosferë dhe të sigurojë arritjen e objektivit për përmirësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit të jashtëm. 

Çfarë është smogu?

Në përgjithësi, ndotja është e padukshme ose e paqartë. Megjithatë, në kohën kur ndotësit që çlirohen në ajër mund të arrijnë përqëndrime të larta, ndotja e ajrit është e dukshme. Në qendrat e mëdha urbane, veçanërisht në stinën e verës, ndotja mund të formojnë smogun, në një mjegull të dendur me ngjyrë e kafenjtë në të verdhë, ose gri në të bardhë që ngjitet mbi horizont. Smogu përbëhet nga grimcat e veçanta dhe ozoni tokësor

Çfarë janë grimcat e ngurta?

Grimcat e ngurta (PM) quhen ndryshe ose PM10 (1/8 e trashësisë së fijes së flokut të njeriut) ose PM2.5 (1/20 e trashësisë së fijes së flokut të njeriut). Këto grimca kaq të vogla çlirohen në ajër në formë të lëngët apo të gurtë dhe përbëjnë pluhurin, blozën dhe tymin. Burimet e PMve janë makinat, fabrikat, aktivitetet ndërtuese, zjarret, erërat që ngrenë pluhurin dhe bimësia. Ndotësit e tjerë të ajrit mund të bashkohen me këto grimcat e ngurta duke u bërë kështu edhe më ndotëse. Grimcat e ngurta mund të formohen në ajër si rezultat i reaksioneve kimike ndërmjet gazeve të tillë si oksidet e azotit, dioskidit të squfurit dhe monoksidit të karbonit. Grimcat e ngurta, veçanërisht PM2.5, mund të depërtojnë thellë në mushkëri duke dëmtuar indet dhe zvogëluar funksionet e saj. 

Çfarë është ozoni në sipërfaqen e tokës?

Ozoni në sipërfaqen e tokës (O3) është përbërësi kryesor i smogut. Ai formohet në shtresat e poshtme të atmosferës, si rezultat i veprimit ndërmjet dioksidit të azotit (NO2) dhe lëndëve të tjera në ajër, në prani të rrezatimit ultra vjollcë. Ozoni në sipërfaqen e tokës është i njëjtë me atë në shtresat e sipërme të atmosferës: ndryshimi i vetëm është lartësia. Ozoni në sipërfaqe, në përqëndrime të ulta acaron sytë, hundën dhe fytin, mund të zvogëlojë funksionin e mushkërive dhe të ndikojë aktivitetin fizik.

Si ndikon ndotja e ajrit mbi shëndetin?

Mushkëritë tuaja thithin ajrin përreth jush. Grimcat PM2.5 janë përzjerje e grimcave të ngurta mikroskopike, produkteve që dalin nga djegia, metaleve dhe helmeve të tjera, që mund të shkaktojnë shqetësime serioze për shëndetin. Grimcat e vogla që thithim, mbrijnë thellë në mushkëritë tona, zënë alveolat dhe mund të dëmtojnë funksionimin e mushkërisë. Edhe në përqëndrime të ulta, PM2.5 mund të shkaktojë një sërë ndikimesh afat shkurtra dhe afat gjata mbi shëndetin. Njerëzit e ndjeshëm ndaj niveleve të larta të ndotjes përjetojnë një mori shenjash që variojnë nga ato të lehta deri tek më të rëndat që kërcënojnë jetën. Njerëzit me sëmundje të tjera si diabeti, sëmundjet e mushkërive (për shembull astma, bronkit kronik, emfizema dhe kancer i mushkërive) ose sëmundje të zemrës, janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit, në krahasim me pjesën tjetër të popullatës.

Grup moshat me rrezik më të lartë për shëndetin janë të moshuarit, fëmijët dhe sportistët. Me kalimin e moshës, zemra, mushkëritë dhe sistemi imunitar dobësohen dhe shtohen problemet shëndetësore si sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut apo ato të lidhura me frymëmarrjen.

Sistemi i frymëmarrjes dhe ai imunitar i fëmijëve janë më pak të zhvilluar. Ata thithin më shumë ajër për çdo kilogram peshë, krahasuar me të rriturit. Të rinjtë, meqë janë më aktivë, shpenzojnë më shumë kohë në mjedise të jashtme, prandaj janë më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit. Në mënyrë të ngjashme, sportistët atletë që stërviten dhe kryejnë aktivitete fizike në mjediset e jashtme thithin më shumë dhe më shpejt, duke thithur më shumë ajër të ndotur në mushkëri. Shenjat përfshijnë kollën, vështirësi në frymëmarrje dhe acarim të fytit, hundës dhe syve.

Ndotja e ajrit të mjediseve të brendshme nga lëndët fosile të ngurta dhe nga ndotja e ajrit të jashtëm janë përgjegjës për 3.1 milionë vdekje të parakohshme dhe 3.2 përqind të sëmundjeve në të gjithë botën. Më shumë së gjysma e sëmundjeve, që vijnë prej ndotjes së ajrit, prekin njerëzit e vendeve në zhvillim.

Ndotësit e ajrit shkaktojnë një numër të madh problemesh shëndetsore, përfshirë infeksionet e aparatit të frymëmarrjes, sëmundjet e zemrës dhe ato të qarkullimit të gjakut dhe kancerin e mushkërive. Zvogëlimi i nivelit të ndotjes do të zvogëlojë edhe numrin e sëmundjeve që shkaktohen prej saj.

Parandalimi i ndotjes kërkon politika lidhur me cilësinë e ajrit dhe transportin, kontrollin e ndotjes së ajrit në qytete, kontrollin e shkarkimeve nga industria dhe nxitjen e burimeve të pastra dhe të rinovueshme të energjisë. Masat për të zvogëluar ndotjen e ajrit të brendshëm përfshijnë ndryshimin e mënyrës së ngrohjes në banesa nga drutë dhe qymyri tek lëndët energjitike më të pastra; futjen e teknologjive më efiçente dhe ajrimin e banesave, shkollave dhe mjediseve të punës; dhe ndalimin e pirjes së duhanit brenda këtyre mjediseve etj. Këto përpjekje për të përmirësuar cilësinë e ajrit çojnë edhe në zvogëlimin e sasisë së gazeve serë dhe zvogëlimin e efekteve që vijnë si pasojë e fenomenit të ndryshimeve klimatike.

Më shumë informacion mbi masat për të zvogëluar ndotjen e ajrit të brendshëm të rekomanduara nga shkencëtarët ju mund ti gjeni në faqen e internetit search.rec.org

Udhëzuesit ndërkombëtarë dhe burime të tjera informacioni mund të gjeni këtu.